Jump to content

Epifania

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Epifania e Xhotos

Epifania është festa e Ujit të Bekuar kremtuar në 6 janar në shumë vende është zakon që Bekimi i Ujit të bëhet në det, lumë, liqen apo në ndonjë pellg uji. Kur nuk është mundësia, bekimi bëhet në kishë.

Fillimisht ishte vetëm një festë e "shfaqjes së Perëndisë" në botë, në formë njerëzore. Ajo përfshinte kremtimin e Lindjes së Krishtit, adhurimin e Magëve dhe gjithë ngjarjet e fëmijërisë, si rrethprerjen dhe paraqitjen në Tempull, si edhe pagëzimin prej Joanit në Jordan. Nuk ka dyshim, që kjo festë, si edhe Pashka dhe Rushajet, u kuptua si përmbushja e një feste të mëparshme judaike, në këtë rast, Festa e Dritave.

Epifani do të thotë shfaqje e sipërme. Festa quhet shpesh, sikurse është në librat e shërbesave ortodokse, Theofani, që do të thotë shfaqje e Perëndisë. Theksi në këtë festë është në shfaqjen e Jisuit, si Mesia njerëzor i Izraelit dhe Bir hyjnor i Perëndisë, Njëri nga Trinia e Shenjtë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Kështu, në pagëzimin prej Joanit në Jordan, Jisui e identifikoi vetveten me mëkatarët, si "Qengji që ngre mëkatin e botës" (Joani 1:29), i "Dashuri" i Atit, detyra mesianike e të cilit është t’i çlirojë njerëzit prej mëkateve të tyre (Lluka 3:21; Marku 1:35). Dhe Ai është zbuluar si Njëri prej Trinisë së Shenjtë, i dëshmuar nga zëri i Atit dhe prej Shpirtit në formën e pëllumbit. Kjo është epifania qendrore, që lavdërohet në himnin kryesor të festës: Kur pagëzoheshe në Jordanin, o Zot, për ne, ahere falja e Trinisë së Shenjtë kudo u shfaq, se zëri i Atit po na dëshmonte për Ty faqeza dhe Bir të dashur të tij po të quante, edhe Shpirti i Shenjtë si një pëllumb, vërtetonte çdo fjalë me siguri. O Krisht Perëndi, që u shfaqe dhe ndriçove botën, lavdi më Ty! (Përlëshorja). U Shfaqe me lavdi, në tërë botën, edhe Drita Jote ndriçoi mbi ne sot, pra, të himnojmë me kuptim: Erdhe dhe zbulove vetveten, O Dritë e Paafruarshme (shkurtorja).

Shërbesat e Epifanisë janë renditur njësoj si ato të Krishtlindjes, ndonëse historikisht është e sigurtë se ato të Krishtlindjes imituan ato të Epifanisë, meqenëse u themeluan më vonë. Përsëri kemi Orët Mbretërore dhe Meshën e Shën Vasilit, të kremtuar së bashku me Mbrëmësoren në vigjiljen e festës. Profecitë e Epifanisë përsërisin Perëndia është me ne nga Isaia dhe theksojnë parashikimin e ardhjes së Mesias, si edhe të pararendësit të tij Joan Pagëzorit: Zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë: Përgatisni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij! Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; të shtrëmbërat të drejtohen dhe rrugët e ashpra të sheshohen dhe çdo mish të shohë shpëtimin e Perëndisë (Isaia 40:3-5; Lluka 3:4-6).

Tipari kryesor i festës së Epifanisë është Bekimi i Madh i Ujit. Ai kryhet dy herë, në vigjiljen e Epifanisë, mbas Meshës së Shën Vasilit dhe mbas Meshës së vetë ditës. Shërbesa fillon me këndimin e himneve të veçanta dhe me temjanisjen e ujit, që është vendosur në mes të kishës*. I rrethuar me lule dhe me qirinj, ky ujë qëndron për botën e mrekullueshme të krijimit fillestar të Perëndisë dhe për lavdërimin e fundit nëpërmjet Krishtit në Mbretërinë e Perëndisë. Shpesh herë shërbesa kryhet jashtë Kishës, në një vend ku uji rrjedh natyrshëm. Zëri i Zotit po thërret mbi ujërat e thotë: Ejani të gjithë, merrni Shpirtin e urtësisë, Shpirtin e kuptimit dhe Shpirtin e frikës së Perëndisë, Zotit Jisu Krisht, që u shfaq në Jordan. Sot bekohet natyra e ujrave, sot Jordani po hapet në dysh dhe valët e tij po qëndrojnë, duke parë Zotin të pagëzohet. Si njeri erdhe në lumë, o Mbreti ynë Jisu Krisht, edhe kërkon të pagëzohesh si shërbëtor për mëkatet tona, nga dora e Profetit (Joan), O Njeridashës(Himne të Bekimit të Madh të Ujit). Pastaj janë tre këndime nga Profecia e Isaisë, të cilat flasin për kohën mesianike: Shkretëtira dhe dheu i thatë do të gëzohen, vetmia do të ngazëllohet dhe do të lulëzojë si trëndafili, le të lulëzojë me bollëk, le të gëzohet gjithçka...(Isaia 35:1-10). O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat dhe ju që nuk keni para ejani blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht... (Isaia 55:1-13). Me gëzim merrni ujë nga burimet e shpëtimit. Atë ditë do të thoni: "Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij... Këndojini lavde Zotit... Bërtit e ngazëllohu nga gëzimi... (Isaia 12:3-6)

Tradita popullore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Disa njerëz mendojnë se bekimi i ujit dhe praktika e pirjes dhe spërkatjes me të është një "paganizëm", i cili ka hyrë gabimisht në Kishën e Krishterë. Por, ne e dimë se ky ritual praktikohej nga Populli i Perëndisë në Dhiatën e Vjetër dhe se në Kishën e Krishterë ka një kuptim shumë të rëndësishëm dhe të veçantë. Të krishterët besojnë se qysh kur Biri i Perëndisë mori mish njerëzor dhe u zhyt në ujërat e Jordanit, e tërë materia u shenjtërua dhe u pastrua në atë, u la prej cilësive të saj që kishin të bënin me vdekjen, të trashëguara nga i ligu dhe nga dobësia e ligësia e njerëzve. Në epifaninë e Zotit i gjithë krijimi bëhet përsëri i mirë, me të vërtetë "shumë i mirë", ashtu siç vetë Perëndia e shpalli atë në fillim, kur "Shpirti i Perëndisë vërtitej mbi faqen e ujrave" (Gjeneza 1:2) dhe kur "Fryma e Jetës" u fry në njeriun dhe në gjithçka që bëri Perëndia (Gjeneza 1:30; 2:7). Kështu, shenjtërimi dhe spërkatja me ujin e Epifanisë nuk është një ritual pagan. Por, është shprehja e faktit më qendror të vizionit të krishterë për njeriun, si dhe për jetën dhe botën e tij. Kjo është dëshmia liturgjike, që na tregon se vokacioni dhe destinimi i krijimit është, që të jetë i "mbushur me tërë plotësinë e Perëndisë" (Efesianët 3:19).

  1. http://www.bksh.al/gsdl/collect/revistaa/tmp/192808.html