Jump to content

Isadora Duncan

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Portret i balerinës humaniste Isadora Duncan

Isadora Duncan ( California , 27 maj 1877 - 14 shtator 1927) ishte balerina dhe koreografia e njohur e fillim shekullit XX, gruaja që revolucionarizoi baletin modern, pas humbjes së dy fëmijëve të saj qëndroi në Sarandë për disa muaj. Aty u njoh me Shqipërinë dhe gjendjen e mjeruar të njerëzve, ku kërkoi të jepte ndihmën e saj. Isadora duartrokitet në mbarë Evropën, pasi u dëbua nga Shtetet e Bashkuara për simpatitë e saj pro-sovjetike.

Lidhja me Shqipërinë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rastësia e solli Isadora Duncan të jetojë disa muaj në Shqipëri, Saranda e sotme”, kështu shprehet në librin e tij "Santa Quaranta" autori Luan Rama,Paris , i cili studioi e mblodhi të dhëna mbi kohën kur Isadora qëndroi në Shqipëri. Në pranverën e vitit 1913, atëherë kur ajo përgatitej të interpretonte “Ifigjeninë” e Gluck-ut në teatrin e “Chatelait” në Paris, u godit nga një tragjedi akoma më e tmerrshme se ajo që do të interpretonte në skenën e atij teatri. Dy fëmijët e saj, viktimë e një aksidenti automobilistik, u mbytën në Senë. Jeta artistike u ndërpre menjëherë. I vëllai Raymond Duncan, (një intelektual dhe njohës i Epirit dhe Greqisë antike, por edhe i Shqipërisë), i cili jetonte në Korfuz bashkë me gruan e tij Penelopën, i kërkoi që ajo të shkonte me ta në brigjet e Korfuzit, në Santa Quaranta, për të lehtësuar dhimbjen e madhe të saj.

Në një letër dërguar nga Korfuzi një mikes së saj, Elena, Isadora shkruante: "Bashkë me vëllain tim Raymond, ne shkuam nëpër malet e Epirit, duke ecur 50 milje në ditë dhe duke fjetur në qiell të hapur, duke menduar e qarë për ata njerëz, në vend që të isha në një dhomë e të mendoja për ju. Ne vizituam qindra fshatra të djegur nga turqit; pamë ata njerëz të mjerë me shtëpitë dhe të korrat e shkatërruara. Nëse dikush nuk i ndihmon, ata do të vdesin nga skamja. Po përpiqem të ngremë disa streha për fëmijët. Ne do të kthehemi javës tjetër. Ah ata fëmijë, me ata sy aq të trishtë e të dëshpëruar dhe ato gra që s’kishin ç’t’u jepnin”. Më pas, një mikut të saj artist, Isadora i shkruante: “Vëllai im Raymond dhe Penelopa pa pasur asgjë me vete u nisën më këmbë për në Epir. Shkojnë drejt Janinës. ç’kurajo! Mendojnë të kthehen pas një jave dhe do të më tregojnë për gjendjen e saktë në të cilën ndodhen njerëzit dhe ai vend. Pastaj, përmes një thirrje, ne do të përpiqemi të mbledhim fonde në mënyrë që t’i ndihmojmë ata të mjerë. ç’mendon ti? Thuhet se janë një mijë familje që po vdesin urie. Dua të shkoj edhe unë që në një lloj mënyre t’i ndihmojmë ata fëmijë. Nëse Paris Singer mund të vijë, do të ishte më thjesht, por edhe vetëm do mund të bëja diçka. Këtu më thonë se janë peizazhe të njohura e të mrekullueshme. Do ëndërroja të ngrija atje një shkollë danci, një vend ku të mblidheshin artistët... Po pres kthimin e Raymond-it dhe do t’u shkruaj. Në vend që t’u shkruaj këto fjalë boshe me frëngjishten time të keqe, do të doja t’u dërgoja pamjen që kam përballë dritares, me hapësirën që hapet ballë detit. Përballë mund të shohësh deri tutje te malet, të cilët duken sikur përkunden në të kaltërtën midis tokës e qiellit, si në një imazh të “Tokës së Premtuar”. Ndonjëherë, duke admiruar këto imazhe, mendoj se ndoshta kam vdekur bashkë me fëmijët dhe se bashkë me ta kam hyrë në Parajsë. I ndiej shumë pranë meje. Dhe pastaj më kap dhimbja e tmerrshme fizike. Sytë e mi nuk do t’i shohin më ata. Duart e mia nuk do t’i prekin kurrë duart e tyre. Ende më shfaqen ato duart e tyre të dashura e të mjera që më përshëndesin nga makina që i mori me vete. E unë dua të klith nga dhimbja. Por në fakt është jeta vetë që vuan...", kështu ka shkruar Isadora Duncan gjatë kohës që qëndroi në Shqipëri.

www.bksh.al