djathtë
DJATHTË mb.
1. Që është në atë anë të trupit, përkundrejt së cilës ndodhet zemra, që është përkundrejt anës së majtë; kund. i majtë. Dora (këmba) e djathtë. Krahu (supi) i djathtë. Syri (veshi) i djathtë. Faqja (ija) e djathtë. Ana e djathtë. Mënga (këmbëza) e djathtë. Xhepi i djathtë. Këpuca e djathtë.
2. Që është në këtë anë a në këtë drejtim të një sendi, kur kthejmë fytyrën nga drejtimi i ballit të tij ose të një lumi, kur kthejmë fytyrën në drejtim të rrjedhës së tij; kund. i majtë. Krahu i djathtë i shtëpisë. Bregu i djathtë i lumit. Në anën e djathtë të rrugës. Dera e djathtë e veturës. Faqja e djathtë e librit. Ana e djathtë e barrës. Shtylla e djathtë e portës. sport. Sulmuesi (mbrojtësi) i djathtë. sport.
3. Që është armik i rrymave përparimtare e revolucionare në jetën politike e shoqërore; që ka pikëpamje reaksionare e konservatore dhe mbron interesat e shfrytëzuesve, të borgjezisë së madhe, të pronarëve të mëdhenj etj.; që formon pjesën më konservatore e me reaksionare të një partie, të një grupi politik, të një rryme filozofike etj.; që i përket kësaj pjese; që është armik i vijës e i politikës revolucionare brenda një partie komuniste dhe që i shërben borgjezisë e kapitullon përpara saj, djathtist; kund. i majtë. Socialistët e djathtë. Grupi (fraksioni, krahu) i djathtë. Gazetë e djathtë. Oportunistët (deviatorët) e djathtë. Oportunizmi i djathtë. Pikëpamje (parulla) të djathta.
4. vjet. Që ka fituar shprehi të mira në një punë, i zoti, i shkathët.
5. Përd. em. sipas kuptimeve të mbiemrit (për një njeri, për një pjesë të trupit, për një parti a rrymë politike, filozofike etj.); kund. i majtë. E gjuajti (i ra, e priti) me të djathtën. Shkruan me të djathtën. Nuk sheh mirë nga i djathti. Pikëpamjet e të djathtëve. Sulmoi i djathti. sport.
- Dora e djathtë e dikujt krahu i djathtë i dikujt. Krahu i djathtë i dikujt ndihmësi kryesor i dikujt, ai që ndihmon më shumë drejtuesin e një pune, ai që mban barrën më të rëndë pas tij.