Veprat e Apostujve
“Veprat e Apostujve” përbëjnë librin e pestë të Dhiatës së Re. Në të trajtohet historia e Kishës, që nga dita e Ngjitjes në Qiell të Zotit Krisht e deri në vizitën e parë të apostull Pavlit në Romë. Nuk ka asnjë dyshim se autorësia e Veprave të Apostujve i takon apostull dhe ungjillor Llukait, mjekut dhe nxënësit të apostull Pavlit, i cili përmendet edhe tek letra drejtuar Kolosianëve (4:14), Filemonit( 24) dhe letrës së dytë drejtuar Timotheut (4:11).[1]
Libri i Veprave paraqet përhapjen e Krishterimit që nga Jeruzalemi e deri në Romë. Në kapitujt 6:8 deri tek 9:31 përshkruhet përhapja e Kishës së Krishterë në Palestinë, për të vazhduar më pas me Kishën e Antiokisë në kapitujt 9:32-12:4. Në kapitujt 12:25-16:5 na paraqitet vepra e Apostull Pavlit në Galati, Ilirik etj. edhe në këshillin e Jeruzalemit. Më tej, në kapitujt 16:6-19:20 jepet kthimi në Krishterim i Maqedonisë, Greqisë dhe Azisë (Anadoll, Turqi), për të përfunduar me themelimin e Kishës në Romë dhe persekutimin dhe burgosjen e apostull Pavlit në kapitujt 19:21 e deri në fund.
Libri thekson veçanërisht origjinën hyjnore të besës së Krishterë, të ilustruar nga mrekullitë dhe martirizimet e apostujve, por sidomos nga themelimi i saj prej Shpirtit të Shenjtë (2:1-5), bamirësitë e shumta të të krishterëve të parë (2:44-7), përhapjen e shpejtë të Krishterimit dhe udhëheqjen prej së larti, e cila nuk i mungoi kurrë apostujve, sidomos Petros dhe Pavlit (kapitujt 12 dhe 16).
Besimi në hyjninë e Krishtit përbën padyshim thelbin e këtij libri, gjë që shfaqet qartazi në të gjithë përmbajtjen e tij, sidomos në pohimin se shpëtimi i gjithë njerëzve u bë i mundur vetëm përmes pësimeve dhe gjakut të Krishtit.
Pagëzimipastron njollat e mëkatit dhe të porsapagëzuarit marrin Shpirtin e Shenjtë. Akti i “thyerjes së bukës” (që i referohet Misterit të Falënderimit Hyjnor - marrjes së Kungatës së Shenjtë) themelon shoqërinë e krishterë.
Tiparet që përmendëm më lart shërbenin për të identifikuar dhe dalluar besimin e Krishterë të sapokrijuar, nga feja judaike. Këtë dallim do ta shohim të thellohet edhe më tepër në vendimet e marra gjatë Këshillit të Jerusalemit, ku u vendos të liheshin mënjanë disa nga kërkesat dhe ritualet e Ligjit të Moisiut.
Për sa i takon nivelit të gjuhës së përdorur si në Veprat e Apostujve, ashtu edhe në Ungjillin e tretë, apostull Llukai duket se e zotëron shumë mirë greqishten, më mirë se çdokush tjetër nga autorët e Dhiatës së re.
Shkrimi i këtij libri duhet të datojë përpara martirizimit të shën Pavlit në Romë, pasi nëse do të ishte shkruar më pas, kjo ngjarje do të ishte dokumentuar pa dyshim në shkrimet e Ungjillor Llukait, si dëshmi e lavdisë së veprës apostolike. Shumë studiues pohojnë se Veprat e Apostujve u shkruan në Akai të Greqisë.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Burime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Rev. Nicon D. Patrinacos, A Dictionary of Greek Orthodoxy (Një fjalor i terminologjisë Orthodhokse Greke), Hellenic Heritage Publications, Pleasantville, N.Y. 10570, fq. 3.