Jump to content

Filozofia e historisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Filozofia e historisë është degë e filozofisë e cila merret me studimin e thelbit, kuptimit, vlerës, zhvillimit, kaheve dhe qëllimit të historisë të shoqërisë njerëzore. Ajo është refleksion filozofik mbi historisë njerëzore; shtron pyetje mbi atë se a ka një kuptim historia njerëzore ? a ka ndonjë qëllim kjo histori e njerëzimit? Në cilët kahje shkon? A është e determinuar (e përcaktuar), apo kahjet e sajë janë të papërcaktuara, dhe zhvillohet në mënyrë të verbër e pyetje të tjera, të cilat mendimtarët përpiqen t’ju japin përgjigje.

Themelues i Filozofisë së Historisë është Shën Augustini, i cili në veprën “De civitates Dei (Shteti i Zotit)” iu qas historisë nga një kënd filozofik. Por Augustini nuk e përmendi sintagmën (fjalën) “filozofi e historisë”. Këtë sintagmë I pari e përdori filozofi iluminist Volteri në shekullin XVIII. Mirëpo problematika e historisë ka qenë e njohur qysh në kohët e lashta, por jo në atë mënyrën filozofike siç iu qas Shën Augustini dhe mendimtarët pas tij.

Shumë mendimtarë janë të mendimit së historia lëvizë në drejtim të arritjes së një qëllimi dhe si e tillë ka një kuptim të cilën filozofi dhe shkencëtari ka për detyrë ta kërkoje dhe ta shpjegojë. Sipas ithtarëve të këtyre pikëpamjeve, në histori zotërojnë ligjësoritë (ligjet) e caktuara, ligjësori këto të cilat janë ose produkte objektive të vetë shoqërisë njerëzore (instanca imanente), ose të dhëna nga Zoti (instanca transcendente) si krijues i çdo gjëje, pra edhe i njeriut, shoqërisë dhe historisë. Përfaqësuesit e kësaj pikëpamje se historia si tërësi ose dhe pjesët e sajë si nënsisteme, kanë kuptim dhe qëllim të caktuar janë : Shën Augustini, Hegeli, Ogyst Konti, Krl Marksi etj. Por këta mendimtarë dallojnë në konceptimin e qëllimit të historisë, psh. Augustini mendon se historia ka një qëllim që është i përcaktuar nga instanca transcendente (nga Zoti), ndërsa p.sh. Karl Marksi është I mendimit se historia njerëzore është e përcaktuar nga instanca imanente (nga lufta e klasave, pra ne shkaqe oblektive). Të gjitha këto pikëpamje sipas të cilave shoqëria e historisë njerëzore zhvillohet sipas një qëllimi dhe ka një kuptim të caktuar, quhen pikëpamje teleologjike.

Ekzistojnë edhe pikëpamje të cilat janë kundër pikëpamjeve teleologjike, të cilat pohojnë se historia nuk ka asnjë qëllim dhe asnjë kuptim. Historia është vetëm rrjedhë e ngjarjeve të njerizimit, dhe nuk është e përcaktuar nga asnjë instancë. Përfaqësuesi tipik I kësaj pikëpamjeje është Karl Poperi. Poperi është dekonstroues (shkatërrues dhe kundërshtar) i instancës imanente (pra i atyre pikëpamjeve që thonë se historia është e determinuar nga instanca imanente-Kanti, Hegeli, Marksi, Konti etj). Ndërsa dekonstroues i instancës transcendente është Fridirik Nice, i cili me idenë se “zoti ka vdekur” e shpreh në mënyrë metaforike se historia nuk ka qëllim të përcaktuar nga zoti si instancë transcedente, por ajo zhvillohet pa ndonjë qëllim të caktuar, sepse sipas Nicës Zoti nuk ekziston që ta përcaktojë historinë.

Duhet dalluar filozofinë e historisë nga historiografia. Historiografia është përshkrim i historisë, me fjalë të tjera shkenca mbi historinë njerëzore. Ndërsa filozofia e historisë është refleksioni filozofik mbi historinë, pra mbi ngjarjet e historike të njerëzimit.