Koha e Bronzit
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Karakteristika themelore e epoka e bronzit është lindja e metalurgjisë së bronzit, që i dha emrin dhe vetë epokës. Për zhvillimin e saj ndihmoi shumë dhe pasuria me bakër e vendit tonë, sidomos në zonat metalmbajtëse të Matit, të Kukësit, të Korçës etj.
Vendin kryesor në prodhimin e metalurgjisë e zënë veglat e punës dhe sidomos armët, siç janë sëpatat, drapërinjtë, shpatat, kamat, thikat dhe majat e heshtave e të shigjetave. Veglat dhe armët e reja nuk mundën të përjashtonin plotësisht nga përdorimi veglat dhe armët e traditës neolitike. Madje në periudhën e parë të bronzit ato janë ende të pakta e të dobëta, por gradualisht shtohen e përsosen dhe hyjnë gjerësisht në përdorim, duke ushtruar një ndikim të fuqishëm në veprimtarinë ekonomike e shoqërore të njeriut. Përsosuria e derdhjes dhe pastërtia e objekteve të prodhuara në fundin e epokës së bronzit arrin një nivel të tillë teknik, që dëshmon se gjatë kësaj periudhe metalurgjia e bronzit kishte arritur lulëzimin e saj të plotë dhe ishte kthyer në një zejtari të mirëfilltë. Midis këtyre prodhimeve meritojnë të përmenden sëpatat me forma karakteristike vendase siç janë sëpatat me emrin “shqiptaro-dalmate”. Krahas tyre qëndrojnë prodhimet vendase të imitacioneve egjeane ose me origjinë nga Evropa Qendrore, të tilla, si sëpatat dytehëshe të tipit minoik, shpatat e gjata të tipit egjean, sëpatat e tipit kelt, etj.
Arritjet në fushën e metalurgjisë së bronzit ndihmuan veprimtarinë prodhuese dhe u bënë mbështetje për zhvillimin e degëve të tjera të ekonomisë, në mënyrë të veçantë të bujqësisë. Karakteri i saj ndryshoi edhe si pasojë e zhvillimit të blegtorisë. Rritja e numrit të kafshëve shtëpiake, si kali, gjedhët dhe bagëtitë e imëta, që i gjejmë të përfaqësuara gjerësisht midis materialit kockor në shtresat kulturore të vendbanimeve të bronzit dhe në varrezat e kësaj kohe, solli me vete ndryshime thelbësore në bujqësi. Nga kopshtet e vogla, që rrëmiheshin me vegla të thjeshta prej briri e druri, kalohet tani në shfrytëzimin e sipërfaqeve më të gjera, që i punonin me parmendë druri, duke shfrytëzuar forcën tërheqëse të kafshëve. Tokat hapeshin me anë të djegies së pyjeve. Të shkriftuara nga zjarri i fortë dhe të pasuruara me plehun e hirit, ato ishin të gatshme për t’u mbjellë. Bujkut primitiv nuk i mbetej veçse të hidhte farën dhe ta mbulonte atë me një lërim të cekët. Kjo tokë nuk mund të shfrytëzohej për shumë vjet, sepse ngjishej dhe nuk mund të punohej më me veglat e thjeshta të kohës, prandaj bujqit hapnin toka të reja, gjë që i dha bujqësisë së bronzit një karakter ekstensiv.
Në krahasim me qeramikën e bukur dhe të një cilësie të lartë të neolitit të vonë, qeramika e bronzit të hershëm paraqitet më primitive si në teknikën e punimit, ashtu dhe në sistemin e zbukurimit. Por kjo është një qeramikë me forma të reja e të panjohura më parë, ndërsa një element i rëndësishëm në ndërtimin e saj janë vegjët. Më tipike në këtë qeramikë janë vazot me dy vegjë të larta mbi buzë, ato me dy ose katër vegjë unazore nën grykë, filxhanët me një vegjë të lartë mbi buzë dhe brokat me trup të fryrë dhe qafë cilindrike me një vegjë nën grykë. Tipar tjetër dallues i kësaj qeramike është zbukurimi me motive plastike shiritash me ose pa thellim. E njohur në gjuhën arkeologjike, për këtë arsye, si qeramika “shiritore”, ajo përbën tani një element të ri kulturor që nuk lidhet me traditën neolitike. Prototipat e saj janë me origjinë të largët nga Ponti në brigjet e Detit të Zi dhe shfaqja e saj në Ballkan, ashtu si dhe në krahinat e tjera të Evropës është e lidhur me dyndjen e madhe të një popullsie baritore që vjen nga stepat e Lindjes aty nga fundi i neolitit.
Krahas kësaj qeramike do të vazhdojë të mbijetojë edhe ajo me forma tradicionale neolitike vendëse, e zbukuruar me ornamente të incizuara ose me kanelyra, e cila paraqitet më e pakët në fillimet e shtresave kulturore dhe gradualisht vjen e zë vend parësor në qeramikën e bronzit.
Qeramika e bronzit të mesëm lidhet gjenetikisht me atë të bronzit të hershëm dhe riprodhon të njëjtat forma e sistem zbukurimi, por me një teknikë më të përparuar. Shfaqen tani dhe forma të reja, prej të cilave më karakteristike janë enët pseudominoike me dy vegjë të larta mbi buzë, sahanët me dy vegjë horizontale poshtë buzëve ose që ngrihen mbi to, etj.
Në bronzin e vonë prodhimi qeramikë rigjallërohet. Enët paraqiten me forma më të evoluuara, më të pasura dhe më të përsosura nga pikëpamja teknologjike. Zakonisht enët me parete të holla janë të pjekura mirë dhe kanë ngjyra kryesisht të çelëta, okër, të kuqe dhe gri në të blertë. Në fillim kjo qeramikë është e thjeshtë, por në fazat e mëpastajme pasurohet me zbukurime të pikturuara me motive të larmishme gjeometrike. Tek qeramika më e hershme e këtij tipi, pikturimi është bërë pas pjekjes së enës dhe ka ngjyrë të kuqe të praruar, kurse më vonë ai bëhet para pjekjes dhe merr pastaj ngjyrën kafe me nuanca të ndryshme.
Në literaturën arkeologjike kjo qeramikë është pagëzuar me emrin “devollite”, nga emri i krahinës ku është zbuluar më parë. Por djepi i saj duket se është pellgu i Korçës, ku ajo kronologjikisht paraqitet deri tani si më e hershme. Këndej ajo përhapet pastaj në të gjithë Shqipërinë e Jugut dhe në krahinat fqinje të Maqedonisë, të Thesalisë dhe të Epirit, ku datohet si më e vonë. Nga fundi i bronzit, në sintaksën gjeometrike të sistemit zbukurues të qeramikës “devollite” futen dhe elemente të zbukurimit mikenas, si rezultat i lidhjeve gjithnjë më të ngushta të kësaj treve me botën e Egjeut.
Si e tillë qeramika “devollite” paraqitet si përfaqësuese e një grupi të veçantë kulturor me një shtrirje të gjerë në territorin jugor të Shqipërisë dhe të diferencuar nga ai i krahinave veriore, i cili nuk zbaton pikturimin e qeramikës dhe as teknologjinë e grupit “devollit”, duke u treguar më konservator si ndaj formave, ashtu dhe ndaj zbukurimit tradicional të periudhave pararendëse të epokës së bronzit.
Prodhimet zejtare dhe ato bujqësore-blegtorale bënë të mundshme edhe zhvillimin e këmbimeve. Tregues i rëndësishëm në këtë drejtim janë depot ose objektet e fshehura, që përbëjnë një dukuri të rëndomtë në bronzin e vonë dhe që ndeshen jo rrallë dhe në vendin tonë. Depo të tilla janë gjetur buzë liqenit të Shkodrës dhe Bunës, në afërsi të Shirokës e Beltojës me sëpata të tipit “shqiptaro-dalmat”, në një shpellë afër Koplikut dhe në fshatin Bushat me sëpata të tipit “kelt”, etj. Këto depo, që krijohen në raste rreziku nga zejtarë endacakë, të cilët janë njëkohësisht dhe shitës të prodhimeve të tyre, gjenden zakonisht gjatë rrugës natyrore. Ato përmbajnë objekte të pavëna në përdorim, shpesh prodhime të një kallëpi, të cilat, për shkak të formave standarde, shërbejnë edhe si njësi vlere për këmbim.
Objektet e importit egjean, italik dhe ato me prejardhje nga viset e Evropës Qendrore, të përfaqësuara në gjetjet arkeologjike të vendit tonë përmes armëve, qeramikës dhe sendeve të tjera të luksit, janë dëshmi e përpjesëtimeve që marrin këmbimet gjatë bronzit. Zhvillimi i tyre dhe lidhjet me krahina kaq të largëta u ndihmuan nga lindja në këtë kohë e transportit tokësor, që shfrytëzon forcën bartëse të kafshëve dhe sidomos shfaqja e anijeve me vela, që lejuan lundrimet në det të hapur dhe arritjen e brigjeve të tjera. Që nga kjo kohë banorët e bronzit të vendit tonë, duket se kryen për herë të parë dhe kalimin e Adriatikut.
Megjithatë duhet thënë se lidhjet midis krahinave të ndryshme, qofshin këto të afërta apo të largëta, nuk ishin të rregullta, prandaj dhe shkëmbimi i produkteve midis bashkësive mbetet gjithnjë një gjë e rastit.
Struktura shoqërore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përparimet në degët e ndryshme të ekonomisë çuan në rindarjen e punës midis sekseve dhe për pasojë në ndryshimin e pozitës shoqërore të burrit dhe të gruas. Burri duke u marrë tani si me bujqësi e blegtori, ashtu edhe me prodhimin metalurgjik, zuri vendin drejtues në ekonomi e shoqëri, ndërsa roli i gruas u dobësua. Kjo solli ndryshime dhe në marrëdhëniet shoqërore, të cilat u shprehën në zëvendësimin e rendit gjinor matriarkal me atë patriarkal dhe në kalimin nga familja matriarkale me çifte në familjen patriarkale monogame, e cila u bë dhe bërthamë e shoqërisë fisnore të kësaj kohe. Brenda fisit ajo formonte një njësi të pavarur ekonomike e shoqërore. Pjesëtarët e saj i lidhte prona e përbashkët e familjes, prodhimi dhe konsumi i përbashkët. Të gjithë pjesëtarët e familjes ishin të barabartë midis tyre, kurse kryetari ishte i pari midis të barabartëve.
Gjatë epokës së bronzit struktura e fisit u bë më e ndërlikuar. Midis familjes dhe fisit u krijua një hallkë tjetër, vëllazëria, e cila përmblidhte disa familje të mëdha patriarkale, të dala nga ndarja e familjes mëmë.
Pasqyrë e këtij organizimi shoqëror janë monumentet skulpturore të kësaj kohe, tumat, të cilat janë varre apo varreza kolektive të një familjeje, vëllazërie ose fisi. Inventari i varreve të tyre flet dhe për diferencim social të popullsisë dhe një shtresëzim fillestar të saj, që e ka bazën te përparimet e shënuara në ekonomi dhe te mundësia që u krijua për grumbullimin e një lloj pasurie prej kësaj. Vetë ky fakt nënkupton krijimin e premisave për lindjen e pronës private, që do të sjellë në të ardhmen shpërbërjen e bashkësisë primitive.
Prirja për të shtuar pasurinë, për të fituar toka e kullota të reja çoi gjatë kësaj epoke në konflikte e lufta të vazhdueshme. Lëvizjet dhe dyndjet e mëdha të popullsive që vërtetohen në mënyrë të qartë, përmes të dhënave arkeologjike, janë një shfaqje e kësaj dukurie. Lindja e vendbanimeve të fortifikuara, përsosja e armëve dhe vendi që zënë ato në inventarin e varreve, dëshmojnë se nga fundi i epokës lufta ishte bërë një funksion i rregullt në jetë. Plaçkitjet dhe përfitimet e tjera që vinin prej saj, rritën një shtresë udhëheqësish ushtarakë, e cila filloi të veçohet nga masa e gjerë e anëtarëve të fisit, duke u pasuruar përmes përvetësimit të pjesës më të madhe të plaçkës së luftës dhe të robërve të saj. Këta të fundit do të bëhen pastaj burim për format më të hershme të shfrytëzimit të njeriut si skllav në familjet patriarkale ose ndryshe për lindjen e skllavërisë patriarkale.
Arti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Niveli i ulët i faktorëve të prodhimit dhe karakteri empirik i njohurive krijuan te njeriu primitiv një botëkuptim magjik-mistik për botën që e rrethonte dhe fenomenet e veçanta të saj. Mbi këtë bazë gjatë epokës së bronzit vazhdojnë të jetojnë rite e besime të trashëguara nga shoqëria neolitike siç është kulti i tokës-mëmë që vazhdon të ushtrohet edhe gjatë periudhës së parë të bronzit dhe që shprehet nëpërmjet figurave prej balte të pjekur, të cilat paraqesin gruan-mëmë, apo riti i flijimit dhe i varrimit të fëmijëve brenda territorit të vendbanimit, që i shërbejnë mbrojtjes nga fuqitë mistike keqbërëse, që vërtetohen me horizontin e bronzit të hershëm në Maliq dhe më vonë në grupin e urnave të shtresës së fundit të bronzit në Tren.
Shqetësimi për fatin e njeriut pas vdekjes krijoi tek njerëzit primitivë botëkuptimin e vazhdimit të jetës përtej varrit, që shprehet në këtë epokë me kujdesin e veçantë që tregohet për të vdekurin, për plotësimin e riteve të varrimit dhe për ndërtimin e vetë varreve. Krahas varreve të dysta të trashëguara nga neoliti, shfaqen në fillim të epokës së bronzit varret me tuma. Këto janë varre monumentale në formën e kodrave të vogla gjysmë sferike, të larta 1-4 m e me diametër 15-30 m, të ngritura me dhe e me gurë. Disa prej tyre kanë në bazë nga një ose dy unaza kufizuese me gurë, të cilat shërbenin si kufi për masën e dheut që hidhej mbi varret. Në qendër të tumës zakonisht është vendosur varri më i hershëm, për të cilin është ngritur tuma, kurse përreth e mbi të janë vendosur varre të tjera të mëvonshme. Arkitektura e varreve është e thjeshtë në formë gropash të rrumbullakëta ose katërkëndëshe të rrethuara e të mbuluara me gurë, apo arkash katërkëndëshe prej druri apo gurësh.
Varrimi bëhej duke e vendosur trupin me këmbë dhe me duar të mbledhura në pozicion fjetjeje. Kjo mënyrë varrimi e njohur që në neolit bëhet më karakteristike gjatë gjithë epokës së bronzit. Varrimi me djegie përkundrazi ndeshet më rrallë. Në këtë rast hiri dhe mbeturinat e djegura të trupit vendoseshin zakonisht në gropa të mbuluara me gurë ose me urna. Të vdekurit shoqëroheshin në varr me takëmin funerar, karakteri i të cilit përcaktohej nga seksi dhe pozita shoqërore e të vdekurit. Që nga bronzi i mesëm fillojnë të shfaqen dallimet midis varreve me inventar të pasur e të thjeshtë. Në disa raste të vdekurin e shoqëronin në varr edhe kafshë që adhuroheshin, siç është rasti i varrit qendror të tumës së madhe të Pazhokut, i cili krahas dy skeleteve përmbante dhe një kokë kau, kafshë kjo e lidhur me kultin e bujqësisë me parmendë, mjaft i përhapur si i tillë në botën e Mesdheut. Dy unazat bashkëqendrore me gurë të kësaj tume janë me sa duket, shprehje e kultit të diellit, që adhurohej nga përfaqësuesit e këtyre tumave si një fuqi jetëdhënëse dhe burim i prodhimtarisë së tokës.
Arti i kohës së bronzit është kryesisht një art i zbatuar i stilit gjeometrik, që përdoret në zbukurimin e qeramikës dhe më pak në prodhimet prej bronzi. Arti plastik, që përfaqësohet me figurinat skematike të gruas-mëmë paraqitet tani në rënie. Ai nuk ka veçse pak jetë gjatë periudhës së parë të kësaj epoke derisa më vonë zhduket krejt. Në bronzin e hershëm një rënie ka edhe në zbukurimin e qeramikës, por më pas, e sidomos në bronzin e vonë, ky art njeh një ngritje të re. Në qeramikën e tumave të Pazhokut ai është zbatuar në teknikën e incizimit. Motivet janë trekëndësha e rombe të vargëzuara me fushën e mbushur me vija të pjerrëta paralele. Në qeramikën “devollite” këto motive janë të pikturuara me tone pashkëlqim ngjyrë të kuqe apo kafe. Thurja e harmonishme e kompozicionale e tyre në enë me forma elegante përfaqëson një nga arritjet më të mira të artit dekorativ të epokës së bronzit.
Në prodhimet metalike zbukurimet janë të varfra. Vlerat artistike i shohim të shprehura më tepër në format e bukura të disa veglave, sidomos te sëpatat “shkodrane” e “shqiptaro-dalmate” të zbukuruara në mykat e tyre me stolisje plastike brinjësh, që hijeshojnë formën e zhdërvjellët të vetë objekteve.