Xhevat Lumi
Xhevat Lumi është doktor i kirurgjisë dhe profesor universitar nga komuna e Therandës (Suharekës).[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Xhevat Lumi u lind në fshatin Bllacë të Therandës (Suharekës) ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. Studimet e mjekësisë i mbaroi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 1988. Specializimin në oftalmologji e bëri në Klinikën e Syve në Lubjanë (1994-1998). Përpos në Lubjanë, në fushën e kirurgjisë vitreoretinale dhe të kirurgjisë së segmentit të përparmë të syrit, u trajnua në Bratislavë (Sllovaki), në Londër (Britani e Madhe), në Frieburg (Gjermani), Lugano (Zvicër) dhe Oslo (Norvegji). Në vitin 2008 emërohet udhëheqës i Repartit të Kirurgjisë në Klinikën e Syve në Lubjanë, pozitë të cilën e mban edhe sot.
Xhevat Lumi është ekspert i kirurgjisë së retinës, të kirurgjisë së korneas, dhe në përgjithësi të kirurgjisë së segmentit të përparmë te syrit. Përveç punës klinike, angazhimet i vazhdoi paralelisht edhe në fushën shkencore dhe akademike. Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Lubjanës, ku edhe e mbrojti temën e magjistraturës në vitin 2006. Prej këtij viti është angazhuar në mbajtjen e procesit mësimor si bashkëpunëtor i Fakultetit të Mjekësisë në Lubjanë, ku më vonë edhe është habilituar. Shkallën më të lartë të studimeve pasuniversitare e vazhdoi në Universitetin e Mariborit.[2]
Doktoratën e bëri në vitin 2017 nga fusha e implikimeve gjenetike në mjekimin e pacientëve me shkolitje të retinës. Si rezultat i punës shkencore dhe klinike arriti të botojë dhjetëra punime origjinale shkencore në revistat ndërkombëtare me peshë në fushën e oftalmologjisë. Falë bashkëpunimit ndërkombëtar me specialistë nga Hungaria, Gjermania, Norvegjia, Danimarka dhe nga SHBA është i angazhuar në disa projekte ndërkombëtare nga lëmi i sëmundjeve të retinës. Në Slloveni për herë të parë në vitin 2006 futi në përdorim kirurgjinë vitreoretinale minimale invazive. Është kirurgu i parë në Slloveni dhe njëri nga kirurgët e parë të retinës në botë, që e ka bërë me sukses transplantimin autolog të retinës në vitin 2017. Deri tash nën mbikëqyrjen e tij janë aftësuar kirurgë të rinj në fushën e kirurgjisë vitreoretinale, të cilët punojnë dhe mjekojnë të sëmurët në vende të ndryshme të botës.[3]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 81, ISBN 9789951518208
- ^ "Xhevat Lumi | OMICS International". www.omicsonline.org (në anglisht). Marrë më 2024-11-20.
- ^ "Doc. Dr. Xhevat Lumi – KOSCS" (në anglisht). Marrë më 2024-11-20.