Selman Riza
Selman Riza | |
Emri | Selman |
Mbiemri | Riza |
Lindur më | 21 dhjetor 1909 |
Lindur në | Gjakovë, Vilajeti i Kosovës, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 16 dhjetor 1988 |
Vdiq në | Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë |
Kombësia | shqiptare |
Shtetësia | shqiptar, jugosllav? |
Profesioni | shkrimtar, albanolog |
Selman Riza (Gjakovë, 21 dhjetor 1909 - Tiranë, 16 dhjetor 1988) ka qenë arsimtar, publicist, gjuhëtar dhe albanolog, antifashist dhe antikomunist shqiptar. Ka qenë ndër anëtarët themelues të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe ndonëse studjues i nderuar me çmim Republike në Shqipërinë enveriste, u largua nga të qenit punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë në Tiranë si dhe nga mësimdhënia në universitet.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Gjakovë, në një familje të thjeshtë,[1] ku kreu mësimet fillestare në mejtepin e xhamisë së “Haxhi Ymerit” ndërsa i vazhdoi në mejtepin “Ruzhdie”. Vazhdoi shkollimin e vet në shkollën plotore "Naim Frashëri" në Tiranë, ku u vendos më 1922, dhe në vitin 1924, u shpall nxënësi më i mirë në shkollë.[2]
Vazhdoi mësimet në liceun e Korçës, nga 1925 deri më 1931 dhe më tej shkollimin e lartë me anë të një burse shtetërore në Universitetin e Tuluzës në jug të Francës (1932-'35), ku u laureua për gjuhë e letërsi frënge dhe jurisprudencë. Pas një specializimi për gjuhën gjermane në Hajdelberg të Gjermanisë,[3] u kthye në Shqipëri, ku u caktua si arsimtar në liceun e Korçës ku dha mësim frëngjisht, gjermanisht dhe latinisht deri më 1939.[4]
Për shkak të veprimtarisë së tij antifashiste pas pushtimit italian, shkurtin e 1941 autoritetet e internuan në ishullin e Ventotenes, por mundi të kthehej në Shqipëri vitin pasues. U vendos në Prizren ku ushtroi avokatinë, por u kthye në Tiranë dhjetorin e 1944. Janarin e 1945 u arrestua nga autoritetet shqiptare të vendosura pas çlirimit dhe u dënua si antijugosllav me burgim. Janarin e 1948 iu dorëzua autoriteteve jugosllave dhe u mbajt prej tyre në burg të Prishtinës deri në gusht të 1951. Vitet 1951-1952 e internuan në Sarajevë, por së paki u lejua që të jepte mësim gjuhën frënge në universitetin e qytetit. Më 1954-1955 punoi si kërkues shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, që ishte themeluar më 29 korrrik 1953, por institutin do ta mbyllnin shumë shpejt jugosllavët dhe Riza u deportua në Shqipëri dhjetorin e 1955.[4]
Më 1956 Riza filloi punë në Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë në Tiranë dhe si pedagog i jashtëm dha mësim morfologji dhe letërsi të vjetër shqipe në universitetin e porsathemeluar. Më 1960 iu dha më në fund titulli "profesor" dhe më 1964 u nderua me çmimin e Republikës për monografinë studimore të tij Emrat në shqipen: sistemi i rasave dhe tipet e lakimit (Tiranë, 1965).[4]
Sidoqoftë me lëvizjen e madhe revolucionare të vitit 1967, pas fletë-rrufeve të shumta dhe gjyqeve kolektive në kuadrin e luftës kundra “mbeturinave borgjeze”, e largojnë nga Instituti i Gjuhësisë dhe çojnë në Berat, si ciceron në muzeun e qytetit dhe më vonë në Bibliotekën e qytetit. Më 1970 doli në pension dhe u lejua të kthehej te familja e tij në Tiranë, në mbikëqyrje të vazhdueshme nga Sigurimi i Shtetit, iu ndalua bashkëpunimi me institutet shkencore si dhe nuk iu lejua botimi i punimeve.[3]
Ndërroi jetë në Tiranë më 16 dhjetor 1988. Më 2009 duke çuar në vend amanetin e tij, familja i çoi eshtrat e tij në qytetin e lindjes.[5]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Xholi, Zija (2002). "Kujtime për profesorin tim, Selman Riza". Filologë që nuk harrohen: nderim për pedagogët e Fakultetit Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Erik. fq. 167. ISBN 9789992783122.
- ^ Yvejsi, Mexhid. "Prof. Selman Riza (1909-1988)". sa-kra.ch. Marrë më 30 prill 2018.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b Meksi, Aleksandër (2 maj 2021). "Historia e panjohur e prof. Selman Rizës". gazetatema.net.
- ^ a b c Elsie, Robert (2012). A Biographical Dictionary of Albanian History (PDF) (në anglisht). Bloomsbury Academic. fq. 286. ISBN 9781780764313.
- ^ Riza, Emin (23 nëntor 2009). Intervistuar nga Fatmira Nikolli. "Mendonin se im atë ishte agjent jugosllav". Gazeta shqiptare (4761): 18–19.