Jump to content

Kreoni

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

KRONI (greq. Kronos, lat. Saturnus) - i biri i Uranit, zotit të qiellit dhe i Gesë, hyjneshës së tokës, trashëgimtari i Uranit në sundimin për botën.

Ishte më i vogli prej të dymbëdhjetë titanëve dhe prej të gjithëve më dinaku dhe më i pabesueshmi. I vetmi ai ia ka pranuar lutjen nënës së vet kur ajo e luti që t'i hakmerret Uranit për shkak se ky i ka hudhur në thellësinë e tokës djemt e saj njëqindduarsh Hekatonkeirët të cilët ishin, në të vërtetë, jo vetëm të shëmtuar, por edhe zemërkqinjë. Në momentin e mosvigjilencës Kroni ia privoi babait burrërinë me drapër prej çelikut dhe me këtë edhe fuqinë dhe u shpall sundues i çdo gjëje që ekziston në botë dhe që do të duhej të ekzistojë. Vëllazërit e vet i detyroi që t'i shërbejnë si mbrojtës të fronit.

Kur Kroni e shtiu në dorë sundimin mbi botën u martua me motrën e vet, Renë dhe me të ka pasur tre fëmijë: vajzat Hestinë, Demetrën dhe Herën, djemt Hadin, Poseidonin dhe Zeusin. Pasi që u frikësua se njëri prej tyre, sipas shembullit të tij, do ta rrëzojë nga pushteti, vendosi që ta marrë preventivën radikale dhe masa syçeltësie: thjesht i gëlltiti fëmijët e vet posa lindën. Kuptohet se kjo Resë i shkaktonte dhëmbje, ndonëse e dinte se fëmijët si qenie hyjnore edhe më tutje jetojnë në barkun e Kronit. Kur erdhi koha që të lindë fëmijën e fundit vendosi që ta shpëtojë: sipas këshillës së prindërve të vet shkoi në ujdhesën Kreta dhe atje e lindi fshehurazi, në shpellen e thellë, në malin Diktos. Kronit ia sjell një guri të gjatë të mbështjellë në mnela: ai nuk e shikoi por e hapi gojën dhe ashtu të mbështjellë, e gëlltiti.

Zeusin pastaj në Kretë e pranuan nimfat Adrastea dhe Idaia. E kanë ushqyer me qumësht të dhisë hyjnore, Amaltesë dhe me mjaltë bletësh. Para shpelle e mbanin rojen demonët viganë kureutët, dhe kur Zeusi qante, me shpatë u binin mburojave dhe kështu krijonin aso zhurme, sa që Kroni nuk e ndiente vajin e fëmijës. Kështu Zeusi rritej dhe përparonte nën mbrojtjen e tyre. Dhe, kur u rrit, e bëri atë nga e cila Kroni frikësohej më së shumti: u çua kundër tij, e detyroi që t'i kthejë vëllazërit e gëlltitur dhe filloi kundër tij luftën e rëndë. Kroni në fillim, në të vërtetë, Zeusin me Hadin e Poseidonin i sulmoi në majën e Olimpit, por Zeusi i çliroi Hekatonkeirët të cilët Kroni edhe më tutje i mbante në burgun e nëntokës dhe me ndihmën e tyre kaloi në kundërsulm. Në anën e vet i përfitoi edhe kiklopët me një sy, madje edhe disa prej titanëve në krye me Oqeanin. Pas luftës së rëndë dhjetëvjeçare Kro¬ni ra dhe Zeusi së bashku me titanët e mundur i hudhi në Tartar.

Kështu përfundoi sundimi i Kronit mbi botën për t'u zëvendësuar me sundimin e Zeusit, i cili ka zgjatur deri në fund të miteve greke. Sipas legjendës romake Kroni kinse, para rënies në Tartar shpëtoi, duke ikur në Itali dhe atje jetoi me emrin Saturn. Sundimin e tij të mëvonshëm njerëzit e kanë idealizuar edhe e kanë quajtur shekull i artë, kuptohet vetëm në kohën kur, sipas fjailëve të Henrit de Saint-Simonit (Hanri dë Sent-Simonit) besonin se njerëzimi e ka "shekullin e artë veç pas vetes, e jo para vetes".

Grekët Kronin nuk e kanë nderuar në mënyrë të veçantë. E quanin "grykës të fëmijëve" dhe nuk i ngritnin tempuj. Piktura të tij kemi shumë pak. E dimë vetëm nga disa piktura në vaza, nga një reliev i kohës romake (që gjenden në Muzeun Kapitolian), nga një bustë dhe një torzo e një trupore të kohës jo të përcaktuar (dhe gjendet në Muzeun e Vatikanit). Saturni romak nuk është plotësiht identik me Kronin.