Hadi
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
HADI (greqisht: ᾍδης, poashtu edhe Πλούτων, lat. Pluto) - i biri i Titanit Kron dhe gruas së tij Resë, zoti i botës nëntokësore.
Ishte djali i madh i Kronit dhe me vëllezërit e vet, Zeusin dhe Poseidonin, formonte trininë e zotërave supremë grekë. Kur lindi i ati ishte sundues suprem i gjithësisë, mirëpo frikësohej pa masë se ndonjëri prej fëmijëve të tij do t'ia rrëmbejë fronin. Prandaj pasardhësit e vet i gëlltiti posa i lindën dhe i burgoste në barkun e vet. Ata jetuan edhe më tutje, për arsye se, si qenie hyjnore, ishin të amshueshëm. Nga ky fat ka shpëtuar vetëm Zeusi, djali i tij më i vogël, të cilin nëna e lindi fshehtazi dhe e strehoi në Kretë. Kur u rrit Zeusi, ndodhi pikërisht ajo prej çka friksohej më së shumti Kroni: u çua kundër babait, e detyroi që fëmijët e burgosur t'i lirojë dhe e ftoi në luftim. Vëllazërit e tij, Hadi dhe Poseidoni, iu bashkuan Zeusit dhe me aleatët e tjerë i ndihmuan që ta mposhtë Kronin dhe t'ia rrëmbejë pushtetin. Pas ngadhënjimit vëllazërit u morën vesh që trashëgimin e Kronit me short ta ndajnë ndërmjet tyre. Zeusi e rregulloi që atij t'i takojë pushteti në qiell dhe tokë, Poseidoni e fiton pushtetin në det, ndërsa Hadi u bë sundues i gjithëpushtetshëm në perandorinë nëntokësore.
Nuk mund të thuhet se Hadit i ka takuar me short pjesa më e mirë, por natyrës së tij të errët dhe të pamëshirëshme sundimi mbi botën nëntokësore i përgjigjej plotësisht. Dhe perandoria e tij nëntokësore ka qenë vërtet e tmerrshme: fshihej në thellësitë e tokës dhe në të kurrë nuk depërtoi rrezja e dritës së diellit. E formonte rrafshin e zymtë përplot me lule të verdha të asfodeles ("lulja e vdekjes") nëpër të cilin rrejdhnin pesë lumenj, të cilët njëherit ishin edhe kufijt e saj: Stiksi, që i mbërthente të gjithë me përqafimin e akullt, Akeronti, lumë i vajtimit, Kokiti, lumi i pikëllimit, Piriflegetoni, lumë i zjarrtë dhe Leta e errët, ujërat e të cilëve bënin që të harrohet çdo gjë ç'është e kësaj bote. Se si ka qenë në të vërtetë e ndarë dhe se si dukej perandoria e Hadit, njerëzit nuk e dinin me siguri, pasi që asnjë i vdekur nuk është kthyer i gjallë nga atje e që do të tregonte se si është atje. Disa heronj (Herakliu dhe Enea), të cilët kanë zbritur në të dhe sërish janë ktheyr nuk kanë mundur ta shohin tërësisht. Mirëpo, supozohej se në perëndim shtrihen fushat e Elizeut, ku jetën e tyre të amshueshme e çonin shpirtërat e të drejtëve. Diku në thellësira gjendej Tartari, ku mëkatarët i vuanin dënimet e amshueshme dhe në pjesën më të errët të kësaj perandorie të zymtë ishte Erebi ku gjendej pallati nga i cili Hadi, së bashku me gruan e vet, Perzefonën, sundonte me zotërat e botës nëntokësore dhe shpirtërat e të vdekurve.
Shpirtërat e të vdekurve zbritnin në perandorinë e Hadit përmes hymnerave të errëta. Njëra prej tyre ishte në ngushticën Tenar, në jug të Peloponezit, ndërsa tjetra në Kolon,duke shkuar nën Etnën në Sicili. Sipas Homerit hyrja në perandorinë nëntokësore ishte diku në perëndim, ku më nuk depërtonin rrezet e diellit. Hyrjen në botën nëntokësore e ruante Kerberi, qeni trekrerësh. Ata të cilët hynin i lëshonte me kujdes, mirëpo askend nuk e lëshonte të dalë jashtë. Prej hyrjes rruga shpiente kah ujërat e Akerontit, nëpër të cilin i çonte shpirtërat e të vdekurve plaku i vrazhd, Haroni. Kuptohet se i çonte vetëm në boten nëntokësore, por jo edhe mbrapa dhe për këtë punë të vdekurit kanë qenë të detyruar t'i paguanin. Nga anija e Haronit shikonin të gjithë para fronit të Hadit, te i cili gjendeshin të ulur gjykatësit, Minosi, Radamanti dhe Eaku, djemt e Zeusit. Vetëm rallë ndonjë shpirt arrinte në Elize, ku çonte jetë të lumtur.Të fajësuarit dënoheshin sipas veprave të keqia të bëra, dhe kush nuk ishte as i mirë dhe as i keq (ose ka qenë i mirë dhe i keq), ka qenë i detyruar të shkojë në fushat e Asfodelit, ku bredhte pa hare dhe pikëllim, pa asnjë dëshirë dhe ndjenjë, si hije. Njerëz të tillë gjoja ka pasur, më së shumti dhe në mesin e tyre gjendeshin edhe kreshnikët më të mëdhenj (madje edhe vetë Akili; çfarë jete çonte atje, dimë nga rrëfimi i tij i brengosur, të cilin e ka shënuar Homeri: "Kisha dashur më tepër të punoja si mëditës jashtë në fushën e burrit me pronë të vogël, ku nuk ka ushqim të begatshëm, se sa këtu në perandorinë e Hadit të jesh sundues i hijeve të gjithë njerëzve të tillë të vdekur".
Zotëra me të cilët sundonte Hadi në botën nëntokësore ka pasur më pak se sa ata olimpikë ose të detit, por në njerëz shkaktonin rrënqethje dhe frikë. Në mesin e tyre në vend të parë ishte Tanati, zoti i vdekjes në pelerinën e zezë me krihë të zezë dhe të ngrirë që të vdekurve ua prente flokët dhe ua kapte shpirtërat e tyre, Keret, hyjneshat e errëta, të cilat i vritnin njerëzit në fushëbeteja dhe ua thithnin gjakun, Empuza e tmerrshme, e cila i sulmonte njerëzit dhe i vriste në udhëkryq, Lamia e vrazhdë e cila nënave në gjumë ua vriste fëmijët, Hekata trekrerëshe dhe tretrutpore e cila sundonte mbi përbindshit, Hipnosi, zoti i gjumit të rrejshëm, të cilit nuk mund t'i përballonin as njerëzit dhe as zotërat.
Veçmas të tmerrshme ishin Eriniet, hyjnitë e pamëshirëshme të mallkimit dhe të hakmarrjes, të cilat në botë i dërgonte Perzefona, bashkëshortja e Hadit.Njerëzit e urrenin perandorinë e Hadit. Kush hynte në të ishte i detyruar të heq dorë nga të gjitha shpresat. Prej kreshnikëve të cilët kanë arritur deri para vetë fronit të Hadit dhe janë kthyer ishte Herakliu. Me urdhër të Euristeut, mbretit të Mikenës, nga atje e ka sjellë Kerberin, i cili me urdhër të Zeusit qe i detyruar t'i shërbejë. Atje ka arritur edhe muzikanti dhe këngëtari Orfe, i cili prej Hadit e fitoi mëshirën për jetën e bashkëshortës së vet të re, Euridikës, pastaj Sizifi, i cili prej atje një kohë të shkurtër ka ikur me dinakëri dhe Tezeu të cilin atje e ka çliruar Herakliu. Në prak të botës nëntokësore ka arritur edhe Odiseu, kur pas pushtimit të Trojes, duke u kthyer në atdhe bredh gjatë nëpër botë dhe atje e sheh Sizifin se si përpjet shpatit e rrokullis gurin e madh. E ka parë edhe Tantalin se si mundohej nga uria dhe etja, Titinë, të cilit dy huta ia lanin mëlqinë. U takua atje me shumë trima të vdekur, në mesin e tyre edhe me Akilin i cili me pikëllim ia përshkruante fatin e mjerë të të vdekurve në perandorinë e Hadit.
Hadi zakonisht nuk e braktiste vendin e vet. Njëherë, deri sa ishte i pamartuar, doli në botë për ta rrëmbyer Perzefonën, të bijën e Zeusit dhe Demetrës të cilën e mori grua. Njëherë shkoi edhe në këshillimin e zotërave, në Olimp. Zotërat nuk e kanë dashur shumë dhe ai ua kthente në tënjëjtën mënyrë. Kur Zeusi kërkonte diçka prej tij, zakonisht e ndëgjonte, por në punët në mes qiellit dhe tokës nuk ndërhynte. Mirë ka ditur "se heret apo vonë secili do të zbresë në perandorinë e Hadit posa ka ardhur njëherë në botë".
Hadi u ka takuar zotërave më të lashtë grekë. Me emrin e tij ndeshemi që në pllakat e shkrimit linaer "B" të shek. XIV-XIII para e.s., të gjetura në Pilos. Parafytyrimet për të të kohës së Homerit, nuk janë ndryshuar gjatë shumë shekujve. Grekët njëherësh e kanë adhuruar edhe si dhurues të pasurisë e cila vinte nga thellesitë e tokës (veçmas të xeheve) por edhe të bujqësisë. Në këtë funksion e kanë quajtur Pluton. Më vonë ndoshta nën ndikimin e kultit të Eleuzinës, ka humbur diçka nga tmerri kërcënues dhe nga pamëshirshmëria e vet. Edhe pse ka qenë i pamëshirshëm, njerëzit i ndërtonin shenjëtore dhe tempuj. Më i njohuri prej tyre u ndërtua në Elidë, hapej vetëm një herë në vit, por në të mund të hynin vetëm priftërinjt e Hadit dhe askush tjetër. Mirëpo, në qoftë se dikush dëshironte t'i lutet Hadit, mjaftonte të gjunëzohej dhe me shuplakë të duarëve ta rrahë tokën. Prej kafshëve që flijoheshin Hadi më së shumti i donte delet e zeza. Kur ai që i bënte flijimin kishte vrarë, ështe dashur që shikimin ta ktheje anash. Prej drunjve grekët ia kushtonin qeperisin, ndërsa prej luleve narcisin.
Artastët antikë Hadin e paraqitnin si edhe vëllaun e tij, Zeusin. Ndërkaq vijat e fytyrës ia jipnin më të zymta dhe më të vrazhdta kurse flokët të shpupurishura. shtatoret e tij më të njohura, kopjet romake të origjinaleve greke, me siguri nga shek. IV-III para e.s., quhen sipas muzeve, ku janë të ekspozuara: Hadi i Vatikanit, Plutoni Borghese, Plutoni Ufizzi (Ufici), Plutoni i Parmës. E dimë nga disa relieve dhe piktura të shumta në vaza. Me pllatin e vet, gruan dhe gati të gjithe shërbëtorët e tij është paraqitur në disa piktura në vaza, prej të cilave më e njohura është Mbretëria nëntokësore e Hadit e cila është e shek. IV para e.s. (sot gjendet në Muzeun Kombëtar të Napolit). Prej përmendoreve të tjera të tij antike meriton kujdes të veçantë një terakotë nga Lokria Hadi dhe Perzefona në Reggio di Calabria). Prej veprave të kohës më të re për më të vlefshmen e konsiderojnë ansamblin e Berninit Plutoni e çon Prozerpinën e viteve 1621-1622, (sot gjendet në Villa Borghese në Romë).